Për afro dy orë, banorët e fshatit turistik Theth bllokuan urën hyrëse si formë proteste kundër aksionit të nisur nga autoritetet për prishjen e 40 objekteve të ndërtuara pa leje. Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Banorët e konsiderojnë ndërhyrjen një “masakër urbanistike”, e cila po zhvillohet në kulmin e sezonit turistik dhe, sipas tyre, rrezikon të dëmtojë rëndë turizmin dhe ekonominë vendase.
Ata kërkojnë që ndërhyrja të pezullohet dhe të nisë një dialog me institucionet për zgjidhje afatgjata.
Në protestë ishte e pranishme edhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli, e cila pati një debat të ashpër me forcat e policisë.
Aksioni në Theth u ndërmor pas denoncimit publik të kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi këto struktura si ndërtime pa leje, duke e konsideruar operacionin një përpjekje për të “shëruar” Thethin./vizionplus.tv





