Subscribe

28 hapësira bregdetare të zaptuara në mënyrë abuzive u liruan këtë të mërkurë nga policia.

 

Aksioni u shtri nga veriu në jug, ndërsa morën pjesë forca të FNSH-së ato Shqiponja si dhe punonjës të policive bashkiake. Gjatë kontrolleve të ushturara përgjatë gjithë vijës bregdetare,u sekuestruan në total 1132 shezlonge dhe 537 çadra. Ato ishin vendosur në parcela të ndryshme, pronarët e të cilave nuk ishin pajisur me leje nga e-Albania.

 

Këto janë pamjet e aksionit të zhvilluar në zonën e Plepave në Durrës.

 

Pavarësisht prezencës së madhe të pushuesve, uniformat blu kanë ndërhyrë dhe kanë hequr shezlongët dhe çadrat duke krijuar tension.

 

“Unë nuk e di ca problemi ka ky pronari, por kjo mua nuk më duket e drejtë pasi duhet të lihet kohë të paktën një ditë apo dy ditë. Unë kam paguar lekët për 10 ditë – 15 ditë. Sesi i ka punët ky ne nuk e dimë, ama qeveria duhet të bëj një njoftim. Ai thotë ngrehu, pse të ngrihem unë kam paguar lekët. Mua më duket me dhunë.”

 

Ndërkohë, të tjerë pushues kërkuan vijimësi me qëllim që këto hapësira të mos zaptohen sërish.

 

“Është një proces që duhet të vazhdojë. Kemi 15 vite që bëjmë plazh këtu dhe na marrin lekët, ndërsa nuk paguajnë as tatime, as gjë. Të veprohet sipas ligjit jo vetëm për një sektor këtu por për të gjithë.”

 

Operacioni u zhvillua dhe në plazhin e Velipojës, ku pati debate mes policisë dhe pronave të një subjekti, të cilët kishin zënë më shumë hapësirë se sa parashikohej në lejen përkatëse.

 

Referuar kësaj problematike, uniformat blu thanë se do të kryhen matje me topograf me qëllim shmangien e kësaj problematike.

 

DASHAMIR SPAHO

ZV/DREJTOR I POLICISE SHKODER

“Në rastet kur subjektet nuk e kanë leje, bëhen veprimet proceduriale dhe këtij biznesi i hiqen shezlongët që ka vendosur për shfrytëzim. Deri tani nuk kemi pasur asnjë ankesë këto matjet për metrat do bëhen me topograf dhe nga bashkia që është kompetent për këtë problem.”

 

Operacioni u shtri dhe përgjatë vijës bregdetare të qarkut, Vlorë, Lezhë dhe Fier dhe do të vazhdojë dhe ne muajt korrik dhe gusht.

 

Sipas Ministrisë së Mjedisit, në total për këtë sezon turistik janë dhënë 3000 leje. Shume prej fituesve janë shpallur gjatë fundjavës, ndërsa janë refuzuar 10% e të gjithë aplikimeve.

 

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në plazhe, nisi një ditë pas ultimatumit të kryeministrit Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *