Subscribe

Një automjet i cili po transportonte refugjatë klandestinë nga Siria ka dalë nga rruga mbrëmjen e se shtunës në Gramsh, e për pasojë kanë humbur jetën dy prej emigrantëve.

 

Aksidenti ka ndodhur në fshatin Çekrez, ku automjeti tip “Fuoristradë” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë. Si pasojë 8 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe shoferi i automjetit Mikel Gjeli, 28 vjeç nga Tirana. Ky i fundit u arrestua këtë të diel për akuzën shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe kalim të paligjshëm të personave në kufi.

 

Të plagosurit, një shqiptar dhe shtatë sirianë u sollën në spitalin e Traumës në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore.

 

Sipas informacioneve paraprake, mjeti mendohet të jetë nisur nga Bilishti ndërkohë 28 vjeçari ka përdorur aksin Korçe-Moglice-Gramsh-Tirane për te shmangur kontrollet policore.

 

Klandestinët kishin si synim kalimin në Veri të vendit, për të vijuar më tej rrugëtimin në Malin e Zi e Kroaci, drejt Europës.

 

Prej disa kohës, trafiku i emigrantëve të paligjshëm nga lindja është shtuar, madje edhe në rrugë detare me skafe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *