Shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga shoferat shkaktuan gjatë muajit shkurt 79 aksidente rrugore me 18 të vdekur dhe 85 të plagosur.

Instituti i Statistikave vëren se numri i aksidenteve dhe qytetarëve të aksidentuarve është ulur ndjeshëm (25-28%) krahasuar me një vit më parë.

Qytetet me më shumë aksidente janë Tirana, Lezha, Fieri, Elbasani, Durrësi, ndërsa qytetet pa aksidente janë Shkodra dhe Dibra.

Shifrat e përmirësuara të shkurtit bien kur bashkohen me ato të janarit, sepse në të dy muajt së bashku numërohen 204 aksidente rrugore me 268 të aksidentuar, nga të cilët 40 të vdekur.

Sipas INSTAT, edhe numri i aksidenteve, të plagosurve dhe të vdekurve për janar-shkurtin e sivjetëm janë më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar (0.8%-2,5%).

Pjesa më e madhe e aksidenteve rrugore janë për faj të shoferave, një e treta e të cilëve janë midis moshave 25 – 34 vjeç.

Përballë këtyre statistikave, policia rrugore ka shtuar ndëshkimet e shoferave dhe kontrollet në akset dhe kryqëzimet më problematike.

Policia ndëshkoi 1 mijë e 766 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara, përdorim të celularit në timon, shpejtësi të lartë, shkelje të semaforit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit.

Vetëm në 24 orëve të fundit policia arrestoi 4 shofera për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Policia pezulloi 49 leje drejtimi, mes të cilave 37 për shpejtësi të lartë dhe 12 për konsumim alkooli./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *