Aksident në aksin Bilisht–Korçë, një i moshuar në gjendje të rëndë
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e pasdites në aksin rrugor Bilisht–Korçë, pranë fshatit Nevicisht, ku një i moshuar është gjetur i plagosur rëndë në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari po udhëtonte me biçikletë dhe dyshohet se është përfshirë në një aksident, megjithatë rrethanat e sakta janë ende të paqarta. Ai është transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës, ku ndodhet në repartin e reanimacionit, nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur shenja gjaku dhe prodhime bujqësore, të cilat i moshuari i kishte me vete në biçikletë. Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me një rrëzim aksidental apo me një përplasje nga ndonjë automjet, i cili mund të jetë larguar nga vendngjarja pa dhënë ndihmë.
Aktualisht, po kontrollohen kamerat e sigurisë përgjatë aksit, veçanërisht ato në afërsi të Nevicshtit, për të rindërtuar ngjarjen dhe për të identifikuar ndonjë automjet të dyshuar që ka kaluar në momentin kritik.
/vizionplus.tv





