Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të mërkurën se ekstremistët e motivuar nga racizmi dhe ekstremistët e grupeve militante paraqesin kërcënimet më vdekjeprurëse të terrorizmit brenda vendit, ndërsa paralajmëruan se këto kërcënime mund të rriten këtë vit.

 

Në vlerësimin e publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar thuhet se ekstremistët e motivuar nga racizmi kanë më shumë të ngjarë të kryejnë sulme kryesisht kundër civilëve, ndërsa anëtarët e grupeve militante zakonisht vënë në shënjestër policinë, personelin dhe ndërtesat qeveritare.

 

Agjencitë që kontribuan në formulimin e raportit, përfshirë FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Qendrën Kombëtare Kundër Terrorizmit, thanë se ekstremistët vendas që promovojnë epërsinë e racës së bardhë kanë kontakte potencialisht shqetësuese me ekstremistët e huaj dhe se një numër i vogël ekstremistësh amerikanë kanë udhëtuar jashtë vendit për t’u lidhur me ta.

 

Agjencitë thanë se kategori të tjera të ekstremizmit të brendshëm që përbëjnë shqetësim për hetuesit qeveritarë përfshijnë aktivistët për të drejtat e kafshëve dhe ata mjedisorë, protestues anti-abortit, anarkistë dhe njerëz që e quajnë veten qytetarë sovranë të cilët “besojnë se janë të imunizuar nga autoriteti qeveritar dhe ligjet e vendit”.

 

Agjencitë thanë se zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në vend, të tilla si pretendimet nga ish-presidenti republikan Donald Trump dhe mbështetësit e tij në lidhje me mashtrimet në zgjedhjet e fundit presidenciale, kufizimet në lidhje me COVID-19, pasojat nga trazirat e 6 janarit në kryeqytetin amerikan, dhe teoritë konspirative” pothuajse me siguri do të nxisin” disa ekstremistë të brendshëm “të përpiqen të përfshihen në akte të dhunshme këtë vit.”/VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *