Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi falenderoi në rrjetet sociale ambasadoren amerikane Yuri Kim për bisedën që patën virtualisht për situatën në Shkodër. Ademi tha se gjatë bisedës ka informuar diplomaten amerikane për masat e marra nga Bashkia e Shkodrës për të menaxhuar pandeminë.

 

“E falënderova për interesimin dhe mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Shkodrën, nga ajo personalisht, por edhe nga Ambasada Amerikane, edhe në këto ditë jo të lehta që po kalojmë. Gjatë bisedës, informova Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës, masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit, për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, për bashkëpunimin dhe punën e Bashkisë Shkodër me institucionet dhe qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe biznesin.”

 

Ajo u shpreh e sigurt se shkodranët do ta kalojnë këtë situatë me sa më pak pasoja.

 

“Bashkia e Shkodrës do të bëjë çdo gjë, duke vënë të gjithë kapacitetet e mundësitë e saja, për të kaluar me sa më pak pasoja përballjen me COVID19, për të ndihmuar çdo ditë në vazhdimësi, duke shkuar tek secila familje! Unë e besoj, dhe e sigurova Ambasadoren, se Shkodra dhe shkodranët, me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë. Kjo është e mundur! Nëse qëndrojmë në shtëpi dhe mbajmë higjienën personale.”

 

Ambasadorja Yuri Kim tha se mezi po pret ta vizitojë Shkodrën, por deri atëherë të gjithë duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *