Shqipëria ka përfunduar punimet infrastrukturore të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës –Rinas.
Projekti tashmë është në fazën e ndërrimit të stacioneve hekurudhore, ndërsa pritshmëritë janë që kjo linjë, e cila do të jetë elektrike parashikohet të jenë në funksion në vitin 2027. Por pse projekte të tilla po marrin kohë për t’u përfunduar? Drejtuesja e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e ka një përgjigje.
“Kur dëgjoj të thuhet se “projektet po zgjasin shumë”, më lind natyrshëm pyetja: “shumë, krahasuar me çfarë?” Mund të duket kohë e gjatë por projektet e mëdha infrastrukturore janë të ndërlikuara dhe kërkojnë kohë prandaj, zbatimi i tyre zgjat me vite, e në disa raste edhe me dekada. Ajo që mund të duket si një kohë e gjatë këtu, në fakt është më e shpejtë se sa në shumë vende të tjera, përfshirë edhe ato të Evropës Perëndimore apo SHBA. Për shembull, linja e re Elizabeth në Londër u miratua në vitin 2007, ndërtimi filloi në vitin 2009 dhe u bë plotësisht funksionale në vitin 2023, kur unë tashmë isha larguar nga Londra dhe jetoja në Shqipëri. Kjo do të thotë 16 vite. Dhe kjo ndodhi në një vend me burime shumë më të mëdha dhe me ekspertizë më të gjerë e të gatshme për projekte të tilla.
Duhet të vlerësojmë siç përmenda kompleksitetin, impaktin në mjedis, njerëzit që jetojnë në këto zona. Këto vlerësohen me shumë kujdes dhe në mënyrë metodike dhe janë investime që kërkojnë financime të mëdha prandaj mendoj që në Shqipëri këto projekte po ecin me ritme të shpejta. Dhe ajo që kemi parë është progresi i dukshëm, nga linja e parë hekurudhore që financuam së bashku me Qeverinë Shqiptare dhe BE-në, linja hekurudhore Tiranë-Durrës, e cila filloi ndërtimin në vitin 2021, sot po përparojmë me 3 linja dhe ky është rezultat i rritjes së kapaciteteve implementuese dhe rritjes së ekspertizës në përgatitjen e projekteve të Hekurudhës Shqiptare dhe gjithë grupeve të përfshira”, tha Solovova gjatë një interviste për Vizion Plus.
Më herët autoritetet shqiptare kanë apeluar për një shkurtim të afateve të procedurave për projektet me financim të huaj. Parashikohet që në vijim më shumë fonde nga buxheti i shtetit të përqendrohen në realizmin e investimeve të tilla hekurudhore.
/vizionplus.tv





