Spektakli “Ferma VIP 2” ka hyrë në fazën më vendimtare të lojës, teksa gjysmëfinalja e transmetuar mbrëmjen e së hënës solli emocione të forta, sfida të papritura dhe vendime të rëndësishme nga publiku.
Me vetëm pak ditë deri në natën finale, fati i katër fermerëve qëndronte në balancë, ndërsa publiku mbante në dorë çelësin e vazhdimësisë së tyre në garë.
Elinara dhe Andrea ishin dy konkurrentët e parë që u përballën në një televotim kokë më kokë, ku vetëm njëri prej tyre do të vazhdonte garën për çmimin e madh.
Pas një rrugëtimi emocional dhe me përballje të forta, ishte Elinara ajo që u largua nga gara, si pasojë e vendimit të publikut.
Menjëherë pas eliminimit të saj, loja mori një tjetër kthesë të rëndësishme. Andrea, Andueli dhe Ylli u vendosën sërish në televotim, këtë herë për të përcaktuar se kush do të ishte finalisti i katërt.
Rezultatet zbuluan se Andueli, me mbështetjen e madhe të publikut, siguroi vendin e tij në finalen e madhe të 20 qershorit.
Por gara nuk përfundoi aty. Tradita e formatit shpesh ka kërkuar që sfidat të përcaktojnë drejtimin e lojës së fermerëve. Në një përballje të fortë mes Yllit dhe Andreas, ky i fundit arriti të dalë triumfues, duke u shpallur finalisti i pestë i këtij edicioni.
Në këtë mënyrë mozaiku i pesë finalistëve tashmë është i plotë: Big Mama, Big Basta, Erandi, Andueli dhe Andrea janë emrat që do të përballen për çmimin e madh.
Një tjetër moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje ishte pa dyshim rrëfimi emocional dhe plot humor i kryeplakut Albano Bogdos, i cili solli në skenë kujtime nga përditshmëria në fermë, duke sjellë të qeshura, reflektime dhe emocione të sinqerta.
Pas më shumë se dy muajsh sfidash, debatesh, miqësish të reja dhe përballjesh finalja e 20 qershorit do të vendosë se kush do të jetë fituesi i edicionit të dytë të Ferma Vip.





