Drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet i bindur se forca që ai udhëheq do të marrë një mandat në qarkun e Shkodrës.
Në një intervistë për “EE Times”, teksa fliste për skepticizmin që është krijuar në vend ndaj partive të vogla, Patozi tha se objektivi i tij është që të jetë forcë përcaktuese në qeveri.
“Ne do ta thyejmë tabunë, do ta thyejmë mitin që është krijuar nga kryetarokracia, pra është i qëllimshëm nuk është faji i qytetarëve. Unë besoj që mandati jonë në Shkodër është ngjarje e sigurt, por ne nuk do të mbetemi vetëm në Shkodër. Ne duam të jemi forcë përcaktuese qeverisëse, bashkë me të tjerët të bëjmë mazhorancën e këtij vendi dhe ne të japim kontributin për transformimin e politikës në Shqipëri, sepse ne mund të futemi në koalicion me të tjerët vetëm me kushtet tona dhe kushtet tona janë që Shqipëria duhet të ketë një drejtim të ri dhe një administrim të ri të pushtetit”, u shpreh ai.
Patozi deklaroi se programin politik të BD për zgjedhjet e 25 prillit do ta prezantojë ditët në vijim.





