Në 24 orët e fundit, është ulur numri i rasteve të reja, por janë shtuar pacientët e shëruar.
Sipas Eugena Tominit, listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 15 persona të tjerë, duke e çuar totalin në 620.
Tjetër lajm i mirë është se ulje ka pësuar edhe numri i të shtruarve në spitalet COVID dhe i pacientëve në gjendje kritike. Të enjtën ishin shtatW persona në gjendje të rëndë.
“620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID19. Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.”
Eugena Tomini dha detaje edhe për testet serologjike që po kryhen tek pacientët, për të parë nëse janë krijuar antitrupa.
“Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm. Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë. Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen.”
Epidemiologia theksoi se hapja e mëtejshme e vendit do të varet nga respektimi i distancës fizike nga qytetarët dhe mbajtja e higjienës respiratore e personale.





