Shefi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazmend Koduzi shprehet se numri i ulët i testimeve fsheh të vërtetën dhe kushton jetë.
Ai kërkon nga qeveria të japë informacione rreth kapaciteteve që zotëron Shqipëria për të testuar qytetarët e saj dhe pse e ka përqendruar analizën për virusin vetëm tek një laborator i kontrolluar prej.
“Këto ditë e gjithë bota flet për një mënyrë efikase për të fituar mbi virusin. Testimi masiv i qytetarëve është rruga e duhur, por qeveria e Shqipërisë refuzon të flasë për këtë çështje. 3 javë pas identifikimit të rastit të parë me COVID 19, është provuar statistikisht se sa më shumë testime bëhen, aq më shumë rritet zbulimi i personave të infektuar. Masat e distancimit social janë të domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen, por vlera e mbylljes në shtëpi bie, nëse nuk e dimë se kush është i infektuar. Numri i ulët i testimeve fsheh të vërtetën dhe kushton jetë! Në mënyrë të përsëritur, Partia Demokratike I ka kërkuar qeverisë t’u shpjegojë shqiptarëve: Pse vazhdon të mbajë të ulët numrin e testimeve? Pse ne e dimë sa testime dhe pajisje të tjera testuese ka Kosova, Maqedonia e Veriut apo Serbia dhe nuk e dimë çfarë kapaciteti ka Shqipëria për të testuar qytetarët e saj? Pse në Shqipëri qeveria e ka përqendruar analizën për virusin vetëm tek një laborator i kontrolluar prej saj?”
Sipas Koduzit, refuzimi i qeverisë për të bërë transparence dhe për të rritur numrin e testimeve lë vend vetëm për dy alternativa: “ose qeveria nuk u përgatit për të marrë teste, që kur ne e paralajmëruar gati dy muaj më parë, ose numri i ulët i testimeve është strategji e saj për të fshehur gjendjen reale të përhapjes së virusit”. Koduzi theksoi se çdo ditë që kalon pa testime masive është një ditë që ndihmon përhapjen e virusit.
“Nëse e para është paaftësi, e dyta është një akt kriminal dhe i dënueshëm, që vë mbi të gjitha interesin politik të kryeministrit dhe jo interesin publik të qytetarëve. Me keqardhje, edhe si mjek në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi, më duhet të pohoj se kemi humbur shumë kohë duke e mbajtur në minimum numrin e testimeve. Gjurmimi i të gjitha kontakteve të personave të konfirmuar me COVID-19 dhe testimi i tyre, testimi i stafeve shëndetësore dhe punonjësve të tjerë që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët duhet të jetë prioritet. Pushteti lokal, institucionet e shendetit publik në zonë, mjekët e familjes duhet të përfshihen në këtë gjurmim, pasi janë shumë më afër qytetarëve dhe njohjet janë më të mëdha.”





