Censi i Bujqësisë, që do të regjistrojë numrin e bagëtive dhe sipërfaqen e tokës së mbjellë e që pritet të realizohet në tetor, vendosi në qendër të kritikave Institutin e Statistikave.
Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë, deputetët vunë në dukje se drejtuesve të INSTAT iu mungon informacioni për këtë proces dhe se raportimi ishte i paplotë.
“Jemi ende në pritje për miratimin e ligjit. Kjo na penalizon edhe për të tjerat, as ligji dhe as buxheti nuk është miratuar. Pritet të finalizohet miratimi brenda këtij muaji”, tha Alban Çela, sekretar i Përgjithshëm i INSTAT.
“Censi i Bujqësisë ka pasur një zë të veçantë në buxhetin e këtij viti, kështu që këtë që s’kemi buxhet, mos na e thoni ne këtu te Komisioni i Ekonomisë”, u shpreh Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë.
“Të vini të thoni që nuk ka buxhet, është turp i madh, nuk e dini çfarë ndodh. Hiqe dorën, mos e mbaj dorën ashtu kur flas unë! Na tregoni hap pas hapi çfarë po ndodh, hap pas hapi!”, deklaroi Enno Bozdo, deputet i PD.
“Sot, projektligji është në Kryeministri për miratim sepse vijimin e ndjek Këshilli i Ministrave dhe ministria e linjës”, tha Lantona Sado, drejtore e INSTAT.
“E dini ju që projektligji është miratuar në qeveri që në datën 3 qershor? Ju këtu, në vend që të na merrni kohë për të na dhënë informacione ku vajti, kush e mori, duhet të na thonit sapo e ka miratuar Këshilli i Ministrave”, shtoi Enno Bozdo.
Një tjetër çështje që shkaktoi debat mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të INSTAT ishte largimi i punonjësve nga ky institucion. Deputetët kërkuan që INSTAT të mos e trajtojë këtë si një çështje normale, por të japë alarmin sepse mungesa e punonjësve cenon të dhënat që ata përpunojnë.





