Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin zhvilluan këtë të martë provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30. Për një pjesë të maturantëve, ky test u konsiderua mjaft i vështirë për shkak të natyrës subjektive të pyetjeve, veçanërisht në pjesën e letërsisë.
Në ndryshim nga provimi i parë, teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë qarkulloi në rrjetet sociale rreth gjysmë ore pas nisjes së procesit.
Lidhur me publikimin e tezës, Ministria e Arsimit bëri të ditur se është identifikuar qendra e provimit në Qarkun e Kukësit nga ku është shpërndarë. Maturanti që publikoi tezën u përjashtua menjëherë nga provimi.
Pavarësisht këtij incidenti, maturantët e vlerësuan procesin e Maturës Shtetërore si të rregullt dhe të mirëorganizuar.
Provimi u zhvillua në 144 qendra testimi të ngritura në shkolla në të gjithë vendin, me angazhimin e rreth 2.000 mësuesve administratorë. Procesi i Maturës Shtetërore do të vijojë më 16 qershor me provimin e Matematikës dhe do të përmbyllet më 23 qershor me testin e lëndës me zgjedhje.





