Kryeministri i vendit Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u diskutuan rezultatet e reformës në arsimin dhe formimin profesional, si dhe vizioni “Aftësi 2030” për zhvillimin e aftësive, rritjen e punësimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te çështja e punonjësve të huaj dhe tregut të punës, duke theksuar se ata nuk duhet të shihen si fuqi punëtore e shfrytëzuar.
Kryeministri shtoi se sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta janë pagat, ndërsa theksoi lidhjen mes konsumit dhe të ardhurave të ekonomisë.
Duke folur për investimet, ai theksoi se kundërshtimi i kapitalit të huaj do të thotë të kundërshtosh cilësinë dhe zhvillimin.
Rama:
“Ata që mendojnë se punonjësit e huaj vijnë këtu si skllevër, nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe si në Kroaci. Ose nuk janë fare në nevojë për një punë, punojnë në Instagram dhe japin intervista se si jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj.
Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia e sistemit, aq më të ulëta do të jenë pagat.
Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar, aq më të larta do të jenë të ardhurat e sistemit dhe, për rrjedhojë, edhe të shtetit.
Zvicra është një vend i shtrenjtë, por ka paga të larta, për arsye të thjeshtë sepse ka mundësi të jetë e shtrenjtë, sepse ka cilësi të lartë të prodhimit vendas.
Sot Shqipëria kërkon punonjës dhe vuan për punonjës të kualifikuar. Plani është të zgjerojmë zinxhirin edhe në zona të tjera.
Më e bukura në këtë histori është që vetë industria është e gatshme që të sponsorizojë nxënësit që do të bëjnë atë shkollë, për t’i punësuar më pas.
Të kundërshtosh rritjen e cilësisë së turizmit dhe të refuzosh kapitalin e huaj, do të thotë të refuzosh cilësinë, jo zhvillimin.
Të gjitha zhvillimet që bëhen në turizëm nuk janë më të 10 viteve më parë, në rang global.
Jo në Europë, por në vendet e Lindjes së Mesme, janë vende ku ka një tjetër sistem, por ku bën dot sot atje projekte turistike që nuk janë me një theks shumë të fortë respekti për natyrën. Ata nuk kanë gjelbërim, por sot Abu Dhabi është ekosistemi më perfekt i një zone të banuar qytet. Numri i pemëve, i shoqëruar me ujin që është pjesë e strukturës urbane, jo vetëm për zbukurim, por për balancë natyrore është diçka që nuk e gjen dot në vende të tjera për 1001 arsye.
Ideja që kapitali i huaj mblidhet me miliona dhe miliarda, organizohet dhe shkon dikur për të bërë Golemin e vitit ’90, është idiotësi, nuk ka më.”
/vizionplus.tv





