Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen këtë të martë provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Ministria ka theksuar se gjatë testimit ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mundëson komunikim elektronik ose lidhet me inteligjencën artificiale.
Gjithashtu, nuk lejohet përdorimi i materialeve të paautorizuara, kopjimi apo komunikimi mes maturantëve gjatë provimit. Çdo shkelje e rregullores sjell përjashtimin e menjëhershëm nga testimi.
Maturantët duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi të vlefshëm, si kartë identiteti ose pasaportë, si dhe me mjetet e nevojshme shkollore për zhvillimin e provimit.
Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është testi i dytë i Maturës Shtetërore 2026. Më 3 qershor, maturantët zhvilluan provimin e parë, atë të Gjuhës së Huaj, ndërsa në javët në vijim do të vijojnë me provimet e tjera të programit të maturës.





