Partia Socialiste dhe Partia Demokratike miratuan me konsensus në parim në komisionin e ligjeve amnistinë penale. Amnistia krijon mundësinë për lirimin nga burgjet të 380 personave, ndërsa 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
“Ky projektligj nuk toleron krimin, por dallon qartazi me saktësi juridike, se personi që vijon të përbëjë rrezik dhe duhej të vijojë vuajtjen e dënimit dhe atij personi që shteti vlerëson se është përmbushur qëllimi i dënimit dhe nevojitet të rikthehet në shoqëri”, Toni Gogu, minister i Drejtësisë.
Amnistia parashikon që çdo grua e dënuar me burgim deri në 4 vjet lirohet, çdo burrë i dënuar me burgim deri në 3 vjet lirohet. Gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç gjithashtu lirohen. Personat që kanë qenë të mitur kur kanë kryer krimin lirohen. Pushohet hetimi për veprat penale që dënimin e kanë deri në 3 vjet. Por nga amnistia nuk përfiton asgjë zyrtar i lartë dhe asnjë person që është në hetim nga SPAKU apo është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit.
“Përjashtohen të gjithë vrasjet në rrethana cilësuese, krimet seksuale, trafikimi, terrorizmi, korrupsion dhe krimi i organizuar, veprat zgjedhore, pastrimi i parave dhe çdo gjë, çdo subjekt që është nën judiksionin e SPAK dhe GJKKO”, Gogu.
Por ish-prokurori Arjan Ndoja ka sjellë në vëmendje se ka persona që nuk kanë kryer vepra të rënda edhe pse janë dënuar nga Gjykata e Posaçme e sipas tij duhet të përfitojnë nga amnistia.
“Shpeshherë për shkak të mënyrës së nisjes së procesit është ai termi grup I strukturuar kriminal. Po ju sjell një shembull, për ngjarjet që ndodhin jashtë vendit. Psh personi A është personi i cili merret me marrjen e një sasie lënde narkotike, investon dhe paratë. Ndërkohë që ka një grup të caktuar njerëzish, thjesht fakti që këta kanë njohje me personin që fut paratë futen në grup strukturuar kriminal, ndërkohë që mund të ishin dënuar për një vepër tjetër. Një person që dënohet për moskallëzim krimi thjesht për faktin se është dënuar nga GJKKO nuk përfiton”, Arjan Ndoja, deputet PD.
Komisioni i Ligjeve dhe qeveria ranë dakord që data e përfitimit nga amnistia të shtyhet e të mos jetë më data 31 dhjetor 2025.
“Si kryetar I komisionit propozoj që hyrjen në fuqi të amnistisë ndoshta ta lidhim me datën e hyrjes në fuqi të ligjit, parimisht biem dakord që do të jetë përtej datës 31 dhjetor 2005“, Ulsi Manja, kryetai i Komisionit të Ligjeve.
Sipas qeverisë aktualisht në burgjet e vendit ndodhen aktualisht 4982 persona, dhe pas amnistisë numri i tyre do të ulet me 10%.
/vizionplus.tv






