Moti i keq me temperatura të ulëta, ngrica dhe reshje intensive ka përfshirë gjithë vendin. Si pasojë në aksin rrugor Prekal – Ura e Shtrenjtë, pati rrëshqitje dherash duke sjellë bllokimin e plotë të qarkullimit.
Ekipet e Bashkisë Shkodër dhe strukturat e Emergjencave Civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, si dhe po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe normalizimin e lëvizjes.
Në aksin Bogë -Theth ka pasur reshje bore, ndërsa dy borë pastruese po qarkullojnë në pastrimin e saj. Mjete të tilla janë edhe në aksin Tamarë -Vermosh ku ka vende me ngrica dhe po bëhet kriposja dhe mirëmbajtja për të mos bllokuar rrugën.
Në bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë pushuar. Në disa njësi ka patur shkëputje të energjisë elektrike. Në Fushë Arrëz vijojnë reshjet me intensitet të lartë. Ka rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Ndërkohë në qarkun e Elbasanit, situata paraqitet normale e pa probleme. Akset rrugore nacionale e rurale jane te hapura. Temperatura të ulëta nën zero e si rrjedhojë dëborë e ngrica ka pasur vetëm në segmentin Borove-Ura Cerenecit, i cili është trajtuar me kripë.
Përmirësim të situatës së motit ka pasur edhe në juglindje. Qarkullimi në të gjitha rrugët është normal, përfshirë edhe Qafë Thanë-Kapshticë, ku nuk ka akull.
Kalimi vijon pa probleme edhe në rrugët nacionale që lidhin fshatrat turistikë të Voskopojës, Dardhës dhe Vithkuqit. Situatë e njëjtë raportohet edhe në akset Korçë-Ersekë-Leskovik si dhe Zemblak-Dogana e Goricës.
/vizionplus.tv





