Për Komisionin e Rithemelimit zgjedhjet e 6 marsit janë një test politik e të gjithë demokratët e grupuar rreth Sali Berishës do të hyjnë në këtë garë për të fituar. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, thekson se çdo raund zgjedhor është test, edhe pse bëhet fjalë për vetëm 6 bashki. Sipas tij, PD nuk do të ishte sot para situatës ku zgjedhjet zhvillohen ne 10% të territorit, nëse Lulzim Basha nuk do të kishte vendosur t’i bojkotonte në qershorin e 2019.

 

OERD BYLYKBASHI
KOMISIONI I RITHEMELIMIT

“Marrim pjesë në këtë garë, është një test 6 marsi dhe ne hyjmë për të fituar në të 6 bashkitë. Për këtë do të zgjedhim kandidatët më të mirë nëpërmjet primareve, dhe sigurisht shqiptarët do të vërtetojnë se legjitimiteti në PD qëndron me bazën , me anëtarësinë dhe organeve të zgjedhura prej saj. Mos harrojmë që në 22 mars do të jetë dhe kuvendi I ri I PD, dhe gjithë shqiptarët do të shohin se PD e ka ekzistencën e saj të lidhur me votën e anëtarëve dhe jo me vulën e kryetarit.”

 

 

Sipas Bylykbashit, gara në 6 mars është përballë një pushteti që synon të kapë çdo institucion.  Bylykbashi ka garantuar se kandidatët do të jenë më të mirët, pasi ata do t’i përzgjedhin vete anëtarët; dhe ky është moment ku secili demokrat duhet të përcaktojë pozicionin e tij.

 

“Votimet primare nuk bëjnë dallim brenda PD. Të gjithë ata që mendojnë se mund të garojnë, kandidojnë dhe duke pranuar në mënyrë automatike; që jo thjesht statutin e 11 dhjetorit, por edhe faktin që është e drejtë që kandidatët duhet ti zgjedhin anëtarët dhe jo kryetari, kanë të drejtë të votohen atë ditë dhe të jenë kandidatë për zgjedhje. Kush mendon që duke bërë pazar me kryetarin mund të dalë kandidat pa pyetur anëtarët nuk ka lidhje me Partinë Demokratike si shpirt dhe si rregull.

 

Sot është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave që duan të garojnë në 6 mars, më pas Komisioni i Rithemelimit do të vlerësojë secilën prej tyre në lidhje me kriteret ligjore dhe të dielën demokratet do të votojnë për të përcaktuar cili kandidat do t’i përfaqësojë ata në zgjedhjet e 6 marsit.
Paralelisht me këtë proces, Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha po negocion me aleatet për të krijuar një koalicion për garën e 6 marsit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *