Pas pesë orësh, mbledhja e Këshillit Politik përfundoi. Pavarësisht diskutimeve për orë të gjata, palët politike nuk arritën dot dakordësinë për hapjen e listave zgjedhore.
Damian Gjiknuri deklaroi para mediave pas takimit se opozita po bllokon procesin. Sipas tij, PD dhe LSI nuk po gjejnë një model për t’u marrë si shembull për listat dhe koalicionet parazgjedhore.
Ndërsa Oerd Bylykbashi, po ashtu duke folur për mediat, akuzoi PS se për disa orë rresht vetëm refuzoi propozimet e opozitës, pa treguar arsyet.
Sipas tij, PD-LSI treguan gatishmëri përmes propozimeve konkrete. Bylykbashi shtoi se PS nuk ndalet nga ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës. Ai deklaroi se votimi nesër do të vriste të gjithë marrëveshjen e arritur në 5 qershor.
Kjo mbledhje u shoqërua edhe me debate të forta mes mazhorancës dhe minorancës.