48 orë kohë i ka lënë kryeministri Edi Rama pronarëve të bizneseve që kanë zaptuar hapësirat publike në qytetin e Vlorës. Nëpërmjet një statusi në paltoformën X, kreu i qeverisë ka bërë thirrjen e fundit.
“Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë”, shkruan Rama.
Lexo edhe :
Related Posts
Rama sqaron se ambienti përqark pallatit ka pronarë të gjithë pronarët si në të gjitha ambientet e përbashkëta.
“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo. Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite”, thotë Rama.
Kreu i qeverisë ka nisur t’i denoncojë publikisht të gjitha rastet flagrante të zaptimit të territorit nga bizneset në kryeqytet.
“Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë”, thotë Rama.
Një mesazh të drejtpërdrejtë e kishte edhe për qytetarët.
“Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon”, thotë kreu i qeverisë.
Të menjëhershëm kanë qenë edhe reagimet e qytetarëve, mesazhet e të cilëve shoqëroheshin me pamje direkte të bizneseve që kanë shtrirë aktivitetine tyre në ambient publik.
Një ditë më parë kreu i qeverisë zhvilloi mbledhje me eksponentët politik të PS në qarkun Tiranë për të filluar monitorimin ne terren të aksionit dhe evidentimin e problematikave direkte që lidhen më qytetarët./vizionplus.tv