Subscribe

Në orën 14:00 të 21 janarit të vitit 2011 opozita e udhëhequr nga Partia Socialiste nisi demostratën para kryeministrisë kundër korrupsionit të qeverisë Berisha, pas publikimit të videos ku shfaqej Ilir Meta me bllok në dorë, asokohe zëvendëskryeministër, që fliste për një përfitim prej 700 mije eurosh në këmbim të favorizimit të një biznesi.

 

4 qytetarë u vranë nga forcat e gardës në këtë protestë: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, të gjithë larg perimetrit rrethues të kryeministrisë.

 

FBI i erdhi në ndihme prokurorisë shqiptare dhe sipas ekspertizës së saj komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo, janë përgjegjës për vrasjen e dy protestuesve.

 

Sipas FBI, Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë atë ditë dhe si pasojë mbeti i vrarë Faik Myrtaj ndërsa gardisti Agim Llupo është përgjegjës për vrasjen e Ziver Veizit.

Vetëm për këto dy vrasje prokuroria arriti të grumbullonte prova; pasi vrasja e dy protestuesve të tjerë Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbeti pa autor.

 

Prokuroria kërkoi në të tre shkallët e gjyqësorit dënimin me 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon, por ajo e humbi betejën.

 

Gjykata e shkallës së parë i shpalli të pafajshëm edhe Ndrea Prendin edhe Agim Llupon, gjykata e apelit i nxori fajtorë për vrasje nga pakujdesia duke dënuar ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi me 1 vit burg ndërsa ish-gardistin, Agim Llupo, 3 vjet.

 

Në vitin 2016 Gjykata e Lartë vendosi të lejë në fuqi vendimin e apelit duke mbyllur kështu një prej dosjeve më të diskutueshme, vrasjen e 4 protestuesve në 21 janarin e vitit 2011./ Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *