Alban Çakalli merret me bujqësinë prej vitesh. Dikur ishte i përqendruar në blegtori, por investimi në këtë fushë, sipas tij është shumë i vështirë dhe jo fitimprurës.
Gjatë një interviste në E-ZONE ai e konsideron si një masë pozitive faktin që qeveria do të japë deri në 10 mijë euro për çdo të ri që kërkon të investojë në blegtori. Por sa interes kanë të rinjtë të merren me këtë lloj biznesi?

“Investimi në blegtori është shumë i vështirë. Ka nevojë për shumë para. Vet banorët në zonat rurale e kanë të vështirë të krijojnë investime të qëndrueshme në këtë sektor. Por ka të rinj nga zonat urbane që kanë interes të krijojnë investime të tilla. Ndaj kjo masë e qeverisë është pozitive, por e pamjaftueshme”, tha Alban Çakalli në Vizion Plus.
Sipas fermerëve një masë e tillës mund të shërbejë si nxitje për ata që kanë interes të bëjnë investime në këtë fushë.
“Me një mbështetje të tillë prej 10 mijë euro, një ri mund të marrë deri në 50 krerë të imta. Kjo shifër është e pamjaftueshme, pasi që të përfitosh mbështetjet nga shteti, duhet të kesh mbi 100 krerë. Shifra është modeste po ta krahasosh edhe me shtetin fqinjë Greqinë. Në Greqi çdo kush që kërkon të investojë në këtë fushë merr një mbështetje prej 250 mijë euro, një shumë që i garanton atij ndërtimin e biznesit dhe mundësinë të hyjë në treg”, tha Çakalli.
Prej tre vitesh bujqësia e ka humbur shkëlqimin e një sektori, i cili ka ofruar rritje të qëndrueshme. Sektori është në rënie dhe shkak janë një sërë faktorësh, që nga mbështetja jo e duhur, tek financimet e pakta, tek shpopullimi i fshatit, tek krizat ciklike që prekin sektorin.
/vizionplus.tv





