HISTORIA
E ZGJEDHJEVE NE RUZHDIE
Provat flagrante të vjedhjes së votave
Dokumentet e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdije
dëshmojnë jo vetëm manipilimin
tërësor të procesit zgjedhor, por
dhe rrugën se si mund të hetohet ky
manipulim, nëse hapen kutite e votimit. Hetimi
penal i Prokurorisë së Fierit për
“qendrën e votimit në Ruzhdie”,
provon qartazi mënyrën se si duhet të
hetohen zgjdhjet.
Manipulimi është
bërë duke future fletë votimi për
banorë që ndodheshin jashtë shtetit
në datën 28 qershor 2009 dhe që
megjithatë kanë votuar, firma të
fallsifikuara komisionerësh e probleme të
tjera elektoralë.
Pak përpara
mesditës së datës 28 qershor 2009
– gjykuar nga ora kur ankesa zyrtare ka
mbërritur në KQZ - në selinë
e PS-së u dha njoftimi i parë se në
fshatin Ruzhije, të qarkut të Fierit
kishte pasur një incident. Pak çaste
në pas, pothuaj në kohë reale me
incidentin në vijim e sipër, stafi politik
dhe teknik i PS-së, në selinë e
saj qëndrore, përgatiti një ankesë
në KQZ. Dhe shumë shpejt edhe një
të dytë, konfirmojnë burime nga
KQZ-ja. Thelbi dy ankesave ishte se për pak
ishte shmangur një përplasje e armatosur:
anëtarë të komisionit të qendrës
së votimit, që mbronin ngjyrat e PD-së
kishin kanosur me armë “kolegët”
e tyre socialistë. Edhe rrotull qendrës
së votimit ishin verifikuar gjithashtu, lëvizje
personash të armatosur, siç thuhet
në ankesat e depozituara në KQZ. Tre
anëtarët socialistë të komisionit
u larguan nga qendra e votimit duke e pezulluar
procesin e hedhjes së votës.
Një
vendim i ndërmjetëm i KQZ në Tiranë
lejoi vijimin e procesit, në fund të
të cilit, rezultati i numëruar PD-PS
për kutinë e Ruzhdijes u fiksua në
shifrat 420 me 12. Gjithsej në kuti ndodhen
512 vota, kurse pjesmarrja në votim ishte
pothuaj dyfishi i asaj në shkallë vendi:
kishin “votuar” rreth 90 për
qind e votuesve. KZAZ, me shumicë të
majtë, fletët e votimit me një
vulë dhe ato që kishin shënime
në pjesën e prapme të tyre i konsideroi
të pavlefshme. Në këto rrethana,
PD-ja bëri kërkesë në KQZ
dhe kërkoi rinumurim dhe rivlerësim
të votave të Ruzhdijes. Kryetari i KQZ-së
Ristani atëherë kërkoi aplikimin
e nenit të famshëm 138, (neni për
rinumurimin e votave, me kërkesë të
dy anëtarëve të KQZ-së).
Mbas debatesh
të ashpra, çështja u hodh në
votim dhe me rezultat 4 me 3, KQZ-ja vendosi hapjen
e kutisë së kësaj qendre votimi.
Po me këtë rezultat u vlerësua
vlefshmëria e votave të vulosura vetëm
me një vulë. Mbas këtij numurimi,
rezultati paraprak i shpallur u ngushtua me deri
150 vota diferencë në favor të
PD-së, të pamjaftueshme për të
mbajtur mandatin shtesë që kjo parti
kërkonte në Fier. Më pas, edhe
Kolegji Zgjedhor, la në fuqi të njëjtin
verdikt – ndërkohë ishte e qartë
që mandati i nëntë në Fier
ishte për Partinë Socialiste dhe kështu,
u konfirmua mandati i deputetit të sapobetuar
Piro Lutaj.
faqja pasardhese...
|