VIZION PLUS
 
 
  FAKTORI PLUS  
     
 
  EDITORIALI  
 

PROKURORIA DO TE DESHTONTE PO TE MOS HAPTE KUTITE E RUZHDIES

Nëse rikthehemi mbrapa më 28 Qershor dhe sjellim në mendje se ç’përshtypje na kanë bërë zgjedhjet në Ruzhdie, askush nuk kujton ndonjë gjë të veçantë. Ne që kemi ndjekur zgjedhjet në Fier së bashku me koleget e tjerë, jemi pak më të vëmendshëm për detajet e përdorimit të dhunës në këtë fshat, arrogancën e shtetit për t’i dalë zot vjedhjes së votave dhe përpjekjen për të përdorur KQZ që këto vota të ndikonin për të djegur një mandat të opozitës. Tashmë historia po bëhet e fortë, pasi aksioni politik i opozitës që kërkon hapjen e kutive të votimit për të hetuar zgjedhjet, e ka sjellë këtë fshat si model të cilësisë së zgjedhjeve të pushtetit të PD-së. Pyetja që lind në këto raste është, se a do të kujtohej Ruzhdia sot sikur prokuroria të mos kishte vepruar?
Natyrisht që jo. Ky fshat do ishte harruar bashke me ditën e zgjedhjeve dhe manipulimin e tyre. Dhe disa kolegë të mi gazetarë që e përmendnin herë pas here, konsideroheshin thuajse të njëanshëm. Kjo dëshmon faktin, se edhe pse provat janë shumë të forta, edhe pse dhuna ka qenë flagrante edhe pse manipulimi është i trashë dhe shumë i guximshëm, sërish të gjithë duket se kanë qenë dakord të harrohet. Dhe kur ka pas gatishmëri të harrohet ky skandal, çfarë presim ne të gjejmë prova për zona dhe qendra të tjera votimi, ku manipulimi ka qenë më elegant dhe më i sofistikuar. Sa herë thuhet që në Ruzhdie janë mbushur kutitë me vota të emigrantëve, dalin gjithmonë shqiptarë në Lezhë, në Kukës, në Dibër në Shkodër, në Sarandë dhe gjetkë që thonë: Po, dhe te ne ka votuar dikush për emigrantët”. Sa herë themi se në Ruzhdie, komisionerët janë kërcënuar dhe zbuar, kujtohen të tjerë që thonë dhe te ne u kërcënuan ose u paguan. Sa herë kujtohemi që të themi se në Ruzhdie nuk u respektua asnjë pikë e Kodit Zgjedhor, të tjerë kujtojnë pikat që janë shkelur në qendrat e tyre. Por jo gjithandej prokuroria veproi, jo gjithandej drejtësia u vu në lëvizje për të respektuar kundërshtitë spontane apo shkeljet ligjore të Kodit dhe sot ne kemi dhjetëra për të mos thënë qindra Ruzhdie të fshehta që po rizgjojnë kujtesën e tyre këto ditë kur shohin të ngjashmen e tyre në ekranet e televizionit. Dhe që e vërteta e tyre të dalë në dritë, duhet doemos të bëhet ajo që u bë me kutitë e Ruzhdies, të hapen dhe të hetohet kush ka votuar dhe kush ka hedhur votat për ata që nuk kanë votuar. Asnjë mënyrë tjetër veç hetimit, nuk do të kishte sjellë sot këto fakte që ju do të shikoni nëse kutitë nuk do ishin hapur në Ruzhdie dhe nëse drejtësia nuk do të vepronte.
Një tjetër problem që rihap çështja e Ruzhdies është dhe vazhdimi i përpjekjeve për ta mbajtur të mbuluar krimin elektoral. Dhuna e dy ditëve më parë në këtë fshat, nga një komisioner i marrë i pandehur si hajdut votash vetëm pse një qytetar ka ngritur zërin të dëshmojë manipulimin, tregon qartë se shteti është në këmbë për të ushtruar terror ndaj çdo kujt që kërkon të dëshmojë krimin elektoral. Ky është një sinjal i frikshëm për liritë qytetare dhe për cilësinë e shtetit ligjor në Shqipëri, ku provat e krimit, jo vetëm që mbahen larg drejtësisë me vullnet politik, por dhe dëshmitë mbi to shoqërohen me dhunë në emër të pushtetit. Ky është sinjal për të mbyllur gojën çdo komisiner, çdo votues dhe çdo veprimtar i opozitës që atë ditë ka parë si vidhen vota. Më së paku, është një sinjal se pushteti tani po harxhon më shumë energji të mbajë të varrosura provat e krimit elektoral, se sa të bëjë transparencë dhe të shkojë drejt normalizimit të jetës politike në vend, duke rivendosur besimin e humbur te zgjedhjet e lira.

 
     
 
     
Copyright Vizion Plus 2008