Kush
janë humbësit dhe fituesit e vërtetë!
Ky ndoshta është
editoriali i fundit i “Faktor Plus”. Për
dy vite radhazi jemi takuar çdo natë për
të diskutuar mbi atë çfarë përpiqet
të fshehë politika dhe pushteti nga sytë
e qytetarëve. Jemi munduar të themi të
vërtetat që nuk arrinin dot te publiku. Dhe
për këtë kemi paguar një takse jo
të vogël. Së pari, kam paguar unë
vet. Pas një emisioni ku flisja për lidhjet
e familjes në pushtet me mafien e tokave në
bregdet dhe privatizuesit e ARMO-s, makina ime u dogj
para syve të një shteti që nuk donte
të shikonte dhe të kapte zjarrvënësin.
Dy javë
më pas biznesi i gazetës sime u rrethua me
policë dhe u shkatërrua. Një sëre
historish të rënda të pushtetit kundër
meje dhe familjes time vijuan dhe vijojnë deri
në momentin që flasim. I vetmi lajm i mirë
është se në të gjithë këtë
fushatë revanshi, kryeministri Berisha ka pasur
guximin të ishte gjithmonë qartazi në
krye të çdo fushate. Dhe kjo më ka
lehtësuar. Kanë pësuar dhe ish-kolegët
e mi në televizion. Për shkak të këtij
emisioni, Sali Berisha urdhëroi çdo zyrtar
të lartë të PD-së të mos shkelte
në televizion dhe sidomos në këtë
emision. Përpjekja e tij për të na futur
në llogore lufte ishte një shqetësim
i përditshëm. Pas dy vitesh ai ka humbur qetësinë
dhe nuk e duron dot më këtë betejë,
madje as llogoren ku ka hyrë me dëshirë
të tij.
Për këtë
ka pritur me gëzim ofertën e pronarëve
të rinj, që u kanë ofruar në tepsi
kokën e gazetareve plangprishës të Vizionit
me qëllim që të kenë përfitime
për biznesin e tyre. Në deklaratën me
shkrim që i kthejnë përgjigje shoqatave
të gazetarëve, ata thonë: Po citoj se,
“Interesat tona të biznesit janë ato
që përcaktojnë të gjitha politikat,
përfshirë dhe aktivitetin redaksional”.
Ky është një kumt i rëndë për
gazetarinë shqiptare, pasi për herë të
parë në historinë e saj, pronarët
e një media deklarojnë qartazi se po i përdorin
mediat për bizneset e tyre. Ky zhvillim na rikthen
dhe një herë te raportet hipokrite të
Sali Berishës me pronarët e mediave në
këtë vend.
E keni dëgjuar
Sali Berishën të thotë se gazetarët
në këtë vend nuk janë të lirë
prej pronarëve. Nëse e ka seriozisht, e ftoj
të dalë në anën tonë kundër
pronarëve. Në të vërtetë, e
vetmja aleancë e madhe këtu, është
mes pronarëve të medias dhe pushtetit. Ata
pronarë që rezistuan dhe tentuan të tregojnë
integritet, u shkatërruan me gjoba dhe presione
financiare mbi biznesin duke dhënë shembullin
e ndëshkimit. Dhe tani gjendemi përpara kësaj
situate, e cila është një lajm i keq
për çdo gazetar shqiptar. Por taksën
e këtij emisioni po e paguajnë shtrenjtë
edhe qytetarët shqiptarë.
Faqja
pasardhese
|