VIZION PLUS
 
 
  FAKTORI PLUS  
     
 
  EDITORIALI  
 

Humbja e komunikimit me Perëndimin

Pas amerikaneve, edhe evropianët lëshuan sot një sinjal të fortë kundër qeverisë së zotit Berisha duke i dhënë atij ultimatum që të zgjidhë krizën me opozitën deri më 18 Mars. Pier Mirel, i cili drejtoi sot mbledhjen e parë të Komitetit te Stabilizim Asociimit në Tiranë, kërkoi që më 19 Mars kur Komisioneri për Zgjerimin të jetë në Tiranë, kjo çështje të jetë zgjidhur. Për të diskutuar mbi këtë rrethim diplomatik që po i bëhet Tiranës zyrtare për shkak të politikës zyrtare, do të kem pas pak ne studio deputetin e Partisë Socialiste, Ditmir Bushati. Fillojmë së pari me editorialin.

Qeveria shqiptare duket se ka humbur komunikimin normal me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, dhe po detyron partnerin më të rëndësishëm të Shqipërisë, të komunikojë publikisht problemet që ka me qeverinë shqiptare. Raporti i djeshëm i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, ishte më i ngarkuari më vërejtje serioze se çdo raport tjetër dhjetë vitet e fundit. Në të vlerësohej qartë se vendi vuan nga korrupsioni, mosndëshkueshmëria me ligj, problemet elektorale dhe presioni i hapur mbi medien. Raporti kishte detajuar të gjitha rastet që ilustrojnë këto probleme, duke reflektuar kështu zyrtarisht pikëpamjet e kundërta që qeveria amerikane ka me qeverinë e zotit Berisha lidhur me krizën elektorale, korrupsionin, shtetin ligjor dhe sidomos dhunën mbi mediet kritike me qeverinë. Por një ditë pas Raportit, Ambasadori i SHBA në Tiranë John Withers, u detyrua të dalë sot publikisht para gazetarëve.

Siç është traditë, zakonisht ambasadorët dalin të prezantojnë apo komentojnë raportin e qeverisë së tyre ndërsa ambasadori amerikan doli për të komunikuar publikisht një qëndrim të thellë mospajtues me qeverinë shqiptare lidhur me ligjin për Shërbimin Informativ. Ky projektligj, i cili është vazhdim i përpjekjeve për të futur nën kontrollin e qeverisë Shërbimin Informativ, u shty disa herë para se të futej në rendin e ditës për shkak të vërejtjeve zyrtare që qeveritë perëndimore dhe kryesisht ajo amerikane paraqitën për të.

Por mosdëgjueshmëria e qeverisë së zotit Berisha duhet të ketë shkuar aq larg, sa ekspertiza zyrtare perëndimore për këtë ligj është injoruar dhe po tentohet të miratohet një ligj që nuk pranohet nga standardet perëndimore dhe sidomos një ligj që nuk ka respektuar ekspertizë që kanë dhënë ekspertët amerikanë për të. Kjo është shenjë e një distance të madhe që ka krijuar qeveria shqiptare me partneret e saj perëndimorë.

faqja pasardhese...

 
     
 
     
Copyright Vizion Plus 2008