| |
Faqja
paraardhese
Fakti që diplomati kryesor i SHBA detyrohet të dalë në konferencë për shtyp dhe të bëjë publike tentativat e dështuara të qeverisë së tij për të ndikuar mbi qeverinë shqiptare që të respektojë kornizën ligjore të standardeve perëndimore për shërbimin informativ, do të thotë, se punët kanë shkuar larg dhe qeveria e zotit Berisha ka humbur komunikimin normal dhe miqësor me qeveritë partnere perëndimore, të cilat jo vetëm e mbështetën për anëtarësimin në NATO, por dhanë dhe garancitë e duhura se Shqipëria do të përmirësojë standardet e saj demokratike.
Ajo që po ndodh ndërkohë para syve tanë është e kundërta. Ne kemi në dorë një raport zyrtar të qeverisë amerikane, që kritikon hapur qeverinë shqiptare për presionet mbi medien dhe dhunën ndaj tyre, për korrupsionin financiar dhe politik si dhe mos respektimin e shtetit ligjor, si dhe një debat publik mbi konceptet e ndryshme të dy qeverive rreth standardeve ligjore që duhet të arrijmë për veprimtarinë e shërbimit sekret. Shpresojmë që detyrimi i palës amerikane për të folur publikisht dhe hapur për problemet që ka me qeverinë shqiptare, të kuptohen prej kësaj të fundit si kufiri i fundit ku mund të shkohet dhe t’i rikthehet me seriozitet përmbushjes së detyrimeve të saj si vend anëtar i NATO-s dhe partner serioz i vendeve perëndimore përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
|
|